
Një makinë në pronësi të bashkëshortes së Nebojsha Jankoviqit, zëvendësdrejtor i Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të Malit të Zi (UIKS), u shkatërrua mëngjesin e sotëm në një shpërthim në oborrin e shtëpisë së tyre, në lagjen Zllatica të Podgoricës.
Sipas njoftimit të UIKS, pajisja eksplozive u aktivizua rreth orës katër të mëngjesit mbi automjetin privat të bashkëshortes së Jankoviqit. Institucioni ka bërë të ditur se sulmi mund të jetë i lidhur me masat që ky institucion i ka shtuar kohët e fundit ndaj personave të privuar nga liria.
Rastin po e hetojnë policia e Podgoricës dhe Prokuroria Themelore e Podgoricës.
Drejtoria e Policisë së Malit të Zi njoftoi se pajisja është aktivizuar nga një person ende i paidentifikuar dhe se sulmin ndaj familjes së Jankoviqit e sheh njëkohësisht edhe si sulm ndaj institucioneve që luftojnë krimin e organizuar.
UIKS ka njoftuar se do të vazhdojë zbatimin e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në burgjet e vendit.
Jo rasti i parë
Prona e punonjësve të sistemit të burgjeve në Mal të Zi ka qenë edhe më parë shënjestër sulmesh. Në gusht të vitit 2023, një pajisje eksplozive u hodh mbi shtëpinë familjare të Goran Gjuriçkoviqit, shef ndërrimi në Burgun për Dënime të Shkurtra në Spuzh.
Në shtëpi ndodheshin Gjuriçkoviqi, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e tyre të mitur. Askush nuk u lëndua, por u dëmtuan shtëpia e tyre dhe ato përreth.
Jankoviqi, pas vizitës në shtëpinë e Gjuriçkoviqit, kishte paralajmëruar atëherë se familjet e punonjësve të burgjeve janë të ekspozuara ndaj sulmeve. Ai kishte thënë se në atë shpërthim ishte dëmtuar edhe dhoma ku flinin fëmijët dhe kishte kërkuar nga autoritetet të zbulonin kush e kreu sulmin dhe nëse ishte i porositur nga dikush.
Hetimet për rastin e sotëm vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi identitetin e mundshëm të autorit.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/Lhn8747T




