
Kroacia u rendit e dyta në finalen e Eurovision Song Contest 2024 në Malmö të Suedisë. Përfaqësuesi Baby Lasagna mori 547 pikë me këngën „Rim Tim Tagi Dim“, ndërsa fitues u shpall Nemo nga Zvicra me këngën „The Code“ dhe 591 pikë.
Marko Puriq, siç quhet me emrin e vërtetë Baby Lasagna, performoi i 22-ti me radhë. Nga publiku mori 337 pikë, më shumë se çdo pjesëmarrës tjetër, ndërsa nga juria 210 pikë.
Sipas medieve kroate, po të vendoste vetëm publiku, Kroacia do të kishte fituar. Megjithatë, juritë profesionale i dhanë përparësi Zvicrës, ndërsa juria portugeze nuk i dha asnjë pikë Kroacisë.
Vendi i tretë i takoi Ukrainës me 453 pikë dhe i katërti Francës me 445 pikë.
Ky është rezultati më i mirë i Kroacisë që nga pavarësia. Deri tani plasimi më i lartë ishte vendi i katërt, i arritur nga Maja Blagdan në vitin 1996 dhe Doris Dragoviq në vitin 1999.
Raportohet se fituesi Nemo e theu aksidentalisht trofeun e kristaltë gjatë festimeve dhe më pas deklaroi se i dhanë një të ri.
Finalja u mbajt të shtunën mbrëma në Malmö Arena. Gara e këtij viti u zhvillua nga 7 deri më 11 maj, ndërkohë që edicioni i ardhshëm do të mbahet në Zvicër, sipas rregullave të garës.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/Y9lKbLqG




Katalogu i ri SPAR – oferta deri më 18 shtator