
Mali i Zi ka hapur të mërkurën, më 13 korrik, ditën e shtetësisë, segmentin prioritar të autostradës Bar–Boljare, nga Smokovci afër Podgoricës deri në Mateshevo afër Kollashinit, në gjatësi prej 41 kilometrash. Autostrada hapet zyrtarisht për trafik të enjten në orën 8:00.
Sipas të dhënave të publikuara, ndërtimi zgjati shtatë vjet dhe kushtoi afër një miliard euro. Punimet i kreu kompania kineze China Road and Bridge Corporation, ndërsa financimi u sigurua me kredi prej 809 milionë dollarësh nga banka kineze Exim, me afat 20-vjeçar, si dhe 90 milionë shtesë për rrugët lidhëse. Mali i Zi deri tani ka paguar dy këste nga 29 milionë euro.
Në këtë segment janë ndërtuar 20 ura, 16 tunele dhe katër nyje. Ura më e gjatë, Moraçica, ka 960 metra. Shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometra në orë, ndërsa pagesa e kalimit 3,5 euro. Gjatë shtatë ditëve të para, deri më 21 korrik në orën 8:00, kalimi është pa pagesë.
Në ceremoni morën pjesë kryeministri Dritan Abazoviq, presidenti Millo Gjukanoviq, ambasadorja amerikane Judy Rising Reinke, e ngarkuara me punë e ambasadës kineze Hua Yafang dhe ministri i investimeve kapitale Ervin Ibrahimoviq. Abazoviq deklaroi se nuk po hapet vetëm një rrugë, por një perspektivë për qytetarët dhe ekonominë, dhe propozoi që autostrada të mbajë emrin e princeshës Ksenia, shoferes së parë femër në Ballkan.
Ndërkohë, Ibrahimoviq bëri të ditur se planifikohet vazhdimi i ndërtimit drejt kufirit me Serbinë, që do ta lidhte Malin e Zi me Beogradin dhe më tej me Budapestin. Megjithatë, financimi i segmenteve të mbetura deri në Boljare ende nuk është përcaktuar.
Autostrada Bar–Boljare është projekti më i madh infrastrukturor në historinë e Malit të Zi dhe pjesë e korridorit që synon të lidhë bregdetin e Adriatikut me Serbinë dhe Evropën Qendrore.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/FWcpONbM




