
Demenca nuk është një sëmundje e vetme, por një sindromë që përfshin çrregullime të ndryshme të shkaktuara nga dëmtimi i trurit. Megjithëse shfaqet më shpesh në moshë të thyer, ajo mund të prekë edhe persona në të 40at dhe 50at, kurse shenjat e para shpesh nuk kanë lidhje me harresën, por me ndryshime në sjellje, të folur dhe gjendje emocionale.
Këtë e ka theksuar në një intervistë për Nova BH prof. dr. Selma Sabanagiq-Hajriq, shefe e Klinikës së Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës, duke shpjeguar si të dallohet harresa e zakonshme nga shenjat e demencës.
Sipas saj, harresa e rastësishme është pjesë normale e plakjes. "Te procesi normal i plakjes mund të ndodhë harresë e herëpashershme, në kuptimin e vështirësisë për t'u kujtuar një emër apo fjalë, apo ku kemi lënë diçka, por kujtohemi shpejt dhe lehtë", ka shpjeguar ajo.
Ndryshe ndodh te demenca, kur problemet me kujtesën bëhen më të rënda dhe fillojnë të ndikojnë në jetën e përditshme. "Te demenca kemi një person që nuk do të mund të orientohet në hapësira të njohura, nuk do të mund të kujtojë një ngjarje të tërë, prandaj do të përsërisë të njëjtat pyetje, dhe në fund të gjitha këto probleme do ta çojnë personin drejt vështirësive në kryerjen e aktiviteteve të përditshme", ka theksuar mjeksja.
Sëmundja e Alcajmerit mbetet shkaku më i shpeshtë i demencës, por jo i vetmi. Pjesë të rëndësishme zënë edhe demencat vaskulare, të lidhura me ndryshimet në enët e gjakut të trurit.
Shenjat te të rinjtë shpesh ngatërrohen me stresin
Përveç harresës, demenca mund të sjellë ndryshime në humor, sjellje dhe interesa. "Por te demenca këto vështirësi zhvillohen gradualisht, në mënyrë progresive, kështu që një person që ka qenë aktiv, që e ka dashur jetën, bëhet i painteresuar, i tërhequr", ka thënë Sabanagiq-Hajriq. Ajo ka paralajmëruar se mund të shfaqen edhe shqetësim, nervozizëm dhe agjitim, të cilat familja shpesh ua atribuon moshës, lodhjes apo karakterit të personit.
Sipas saj, demenca zakonisht diagnostikohet pas moshës 65 vjeç, por nuk është ekskluzivisht sëmundje e të moshuarve. "Fatkeqësisht, demenca mund të ndodhë edhe në moshë më të re, nën 60 apo 65 vjeç. Njihen raste demence edhe në moshën 40 dhe 50 vjeç", ka paralajmëruar ajo. Problem shtesë paraqet fakti se demenca në moshë të re shpesh nuk shfaqet me simptoma tipike, por me vështirësi në të folur, kur personi nuk mund të shqiptojë fjalë apo të ndjekë një bisedë. Ndryshimet e sjelljes te të rinjtë shpesh i atribuohen stresit, ngarkesës në punë apo depresionit, gjë që bën që simptomat e demencës të kalojnë pa u vënë re.
Mjeksja u ka kërkuar familjeve durim ndaj personave të prekur. "Nëse kemi një person të moshuar te i cili është e qartë se harron, që nuk mund të kujtohet, që ka nevojë për më shumë kohë për t'u përgjigjur në një pyetje, duhet vërtet të jemi të durueshëm. Nga kritikimi dhe nxitimi nuk do të fitojmë asgjë", ka theksuar ajo, duke shtuar se presioni e bën personin edhe më të shqetësuar.
Krahas medikamenteve, rëndësi kanë edhe aktivitetet që ndihmojnë ruajtjen e aftësive të mbetura. Sabanagiq-Hajriq u këshillon familjeve të bisedojnë me të sëmurët për ngjarje nga e kaluara, të shikojnë fotografi të vjetra dhe t'i kujtojnë momentet e bukura, duke ruajtur kështu dinjitetin e personit. Sipas saj, kontrolli i presionit të gjakut, diabetit, mbipeshës dhe yndyrnave, së bashku me aktivitetin fizik dhe atë mendor, mbeten mënyra kryesore për të ruajtur shëndetin e trurit gjatë gjithë jetës.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/neRmtr7k




