
Kroacinë e vizituan gjatë vitit 2025 gjithsej 21,8 milionë turistë, të cilët realizuan 110,1 milionë netë qëndrimi, njoftoi të mërkurën Bashkësia Turistike Kroate në bazë të të dhënave të sistemit eVisitor.
Krahasuar me vitin 2024, numri i mbërritjeve është rritur për dy për qind, ndërsa netët e qëndrimit për një për qind. Për herë të parë është kaluar pragu i 110 milionë netëve, ndërsa të hyrat janë rekord.
Sipas të dhënave, më së shumti netë qëndrimi u realizuan në Istria, 30,3 milionë, e ndjekur nga zhupania Split-Dalmaci me 20,9 milionë, Kvarneri me 18,5, Zadari me 15,5, Dubrovnik-Neretva me 9,3, Shibenik-Knin me 6,6 dhe Lika-Senj me 3,5 milionë. Në bregdetin e Adriatikut u realizuan gjithsej 104,6 milionë netë, ndërsa në Kroacinë kontinentale 5,6 milionë.
Destinacionet kryesore ishin Dubrovniku, Rovinji, Spliti, Poreçi dhe Umagu.
Turistët e huaj përbëjnë mbi 90 për qind të qarkullimit. Gjermanët realizuan 22,3 milionë netë, turistët vendas 13,8 milionë, sllovenët 11,1 milionë, austriakët 8,2, polakët 7,3, çekët 4,9 dhe britanikët 4,1 milionë.
Ndërkohë, edhe dhjetori shënoi rritje, me 450 mijë turistë dhe 1,1 milion netë, shtatë për qind më shumë se një vit më parë. Gjatë festave të fundvitit, nga 24 dhjetori deri më 1 janar, u regjistruan 188 mijë mbërritje dhe 541 mijë netë qëndrimi.
Ministri i Turizmit Tonçi Gllavina deklaroi se janë arritur rezultate rekord në të gjitha segmentet, ndërsa drejtori i Bashkësisë Turistike Kristjan Staniçiq bëri të ditur se do të vazhdojë zhvillimi i turizmit premium dhe të qëndrueshëm, si dhe bashkëpunimi me kompanitë ajrore.
Turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kroate dhe përbën rreth një të pestën e prodhimit të brendshëm bruto të vendit, sipas vlerësimeve të institucioneve shtetërore.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/uO2odYzM




Fluturime nga Beogradi nga 2.872 RSD