
Numri i përfituesve të shtesave për fëmijë në Kosovë ka shënuar rënie prej 31,594 personash që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa pensionet bazike të moshës kanë shënuar rritjen më të madhe, me 9,074 përfitues më shumë. Kjo bëhet e ditur nga krahasimi i statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga janari deri në fund të tetorit të këtij viti.
Sipas të dhënave, në fillim të vitit në skemën e shtesave për fëmijë ishin të regjistruar 406,779 fëmijë përfitues, ndërsa në tetor ky numër ka zbritur në 375,185. Kjo paraqet një zvogëlim prej 7.77 për qind. Rënia reflektohet edhe në buxhet, pasi shuma e ndarë për këtë kategori ka rënë nga 14 milionë e 754 mijë e 240 euro në 13 milionë e 556 mijë e 340 euro, apo 1 milion e 197 mijë e 900 euro më pak.
Rënie ka edhe te skema e ndihmës sociale, ku numri i përfituesve ka shkuar nga 15,872 në fillim të vitit në 14,444 në tetor, që është rënie prej rreth nëntë për qind. Shuma e ndarë për këtë skemë ka zbritur nga 2 milionë e 367 mijë e 508 euro në 2 milionë e 135 mijë e 692 euro.
Rritje te pensionistët dhe veteranët
Në anën tjetër, rritja më e madhe në numrin e përfituesve është regjistruar te pensionet bazike të moshës, nga 165,325 në fillim të vitit në 174,399 në tetor, pra 9,074 përfitues më shumë ose rritje prej 5.49 për qind. Edhe te veteranët ka pasur rritje, me 1,884 përfitues më shumë, çka ka sjellë rreth 314 mijë euro shtesë në pagesa.
Krahasimi i 17 kategorive të ndihmave sociale tregon se numri i përgjithshëm i përfituesve ka rënë nga 748,876 në fillim të vitit në 728,398 në tetor, apo 20,478 përfitues më pak, përkatësisht 2.73 për qind. Pavarësisht kësaj, shuma e përgjithshme e pagesave është rritur nga rreth 77.45 milionë euro në 78.21 milionë euro, apo 758,943 euro më shumë.
Statistikat e tetorit përfshijnë edhe dy kategori të reja, mbështetjen financiare për lehonat. Sipas të dhënave, 2,231 lehona të punësuara kanë përfituar gjithsej 1 milion e 118 mijë e 500 euro, ndërsa 7,053 lehona të papunësuara kanë marrë 3 milionë e 546 mijë e 325 euro e 90 centë. Në total, për këto dy kategori janë ndarë mbi 4.66 milionë euro për 9,284 përfituese.
Ndryshe, pas rritjes së shtesave për fëmijë në tridhjetë euro, Ministria e Financave në korrik të këtij viti kishte nisur një proces të gjerë verifikimi për pastrimin e listave të përfituesve. Siç bëhet e ditur, alarmi për verifikimin kishte ardhur pas largimit të mbi 37 mijë qytetarëve nga Kosova.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/srs2JlDb




