
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkëakuzuarit e tij do të përballen sot me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, në rastin që lidhet me ndërhyrjen e pretenduar te dëshmitarët.
Shpallja e aktgjykimit është caktuar për orën 10:00. Gjykatësi Christopher Gosnell ka urdhëruar praninë e të pesë të akuzuarve në seancë.
Përveç Thaçit, vendimin do ta dëgjojnë edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Në qendër të përplasjes mes palëve janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në paraburgim, çfarë është thënë, kush ka folur dhe çfarë provojnë ato. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për rreth 28 orë biseda të regjistruara gjatë 9 vizitave, në një periudhë prej katër muajsh.
Mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se nuk janë paraqitur prova që dëshmojnë kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët në emër të ish-presidentit. Avokatët kanë vënë në dyshim edhe saktësinë dhe besueshmërinë e transkripteve të bisedave, duke pretenduar se disa pjesë të tyre kanë qenë të pakuptueshme dhe se mënyra e transkriptimit mund të ketë ndikuar në interpretimin e përmbajtjes.
Ekspertja vuri në dyshim transkriptet
Për këtë çështje, mbrojtja ka thirrur eksperten Helen Fraser, e cila ka vlerësuar se besueshmëria e transkripteve ishte e ulët. Ajo megjithatë ka sqaruar se nuk mund të konstatonte se transkriptet ishin të pasakta, duke pranuar edhe kufizimin që lidhej me mosnjohjen e gjuhës shqipe.
Prokuroria i ka kundërshtuar këto vlerësime, duke mbrojtur besueshmërinë e incizimeve dhe materialeve të tjera që, sipas saj, mbështesin akuzat.
Mbrojtja ka argumentuar gjithashtu se disa nga informacionet e cilësuara si konfidenciale kanë qenë të njohura publikisht ose kanë përbërë kujtime të përbashkëta të Thaçit me vizitorët.
Aktgjykimi i sotëm pritet t'u japë përgjigje pretendimeve të Prokurorisë dhe kundërshtimeve të mbrojtjes në këtë proces, i njohur edhe si rasti "Thaçi 2".
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/bMDDLCV2




