
Gjykata Themelore në Gjilan më 20 tetor e shpalli fajtor Egzon Shallkin për vrasje të rëndë, duke e dënuar me 25 vjet burgim, ka konfirmuar zëdhënësi i gjykatës, Sabit Shkodra.
Sipas aktgjykimit, ngjarja ka ndodhur më 8 shtator 2025, rreth orës 20.29, në sheshin "Bafti Haziu" në Viti. Gjykata ka vërtetuar se Shallki, i cili ishte në gjendje thelbësisht të zvogëluar të përgjegjësisë mendore dhe për shkak të një konflikti të mëhershëm me njërin nga të dëmtuarit, ka drejtuar veturën e tij "Opel Insignia" drejt një grupi personash që ishin ulur në tavolinë në shesh.
Sipas arsyetimit të aktgjykimit, i akuzuari iu afrua dy herë tavolinës me veturë pa i goditur viktimat, ndërsa në përpjekjen e tretë kaloi në korsinë e majtë, shpejtoi automjetin dhe u përplas me personat e pranishëm.
Nga goditja, tre persona pësuan lëndime të lehta, ndërsa një person u lëndua rëndë. Më së rëndi u lëndua Auron Ferizi, i cili pas sulmit u dërgua në kujdesin intensiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Pavarësisht trajtimit, ai ndërroi jetë më 10 shtator 2025.
Përveç dënimit me burg, gjykata i ka shqiptuar Shallkit edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, që do të zbatohet në Institutin për Psikiatri Forenzike në Prishtinë. Atij i është shqiptuar gjithashtu dënimi plotësues i heqjes së lejes së vozitjes për pesë vjet.
Sipas të dhënave jozyrtare nga gjykata, dënimi me burgim të përjetshëm nuk ka mundur të shqiptohet pasi në kohën e kryerjes së veprës i akuzuari ishte në gjendje thelbësisht të zvogëluar të përgjegjësisë mendore, gjë që sipas Kodit Penal të Kosovës e përjashton atë mundësi.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë. Palët në procedurë kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga marrja e aktgjykimit me shkrim.
Ndërkohë, menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në Gjilan është shënuar një incident i ri. Policia ka ndaluar dy persona të dyshuar se kanë bërë kërcënime, ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Valon Osmani. Hetimet për këtë rast janë në vazhdim e sipër.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/1Ac9L5jB




