
Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konaković, deklaroi më 18 tetor në Bagdad, para shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, se përkujtimi dhe varrimi i të dënuarit nga Haga, Ratko Mladiq, me nderime ushtarake në Beograd, e kanë shndërruar një zi private në rehabilitim publik dhe institucional të një personi të dënuar për gjenocid.
Konaković mori pjesë, me ftesë të ministrit irakian të Jashtëm Fuad Husein, në mbledhjen dyditore të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OBI-së. Me këtë rast, ai falënderoi organizatën dhe vendet anëtare për mbështetjen e dhënë rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilën data 11 korrik u shpall Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Bosnjës, Konaković kujtoi se kjo rezolutë dënon edhe mohimin e gjenocidit, si dhe lavdërimin e personave të dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Duke folur për varrimin e Mladiqit, ai tha se në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd u mbajt përkujtimi, ndërsa dy ditë më vonë u zhvillua varrimi me nderime ushtarake, ku morën pjesë gjashtë ministra aktualë të qeverisë së Serbisë dhe zyrtarë të lartë nga Republika Serbe.
Ai theksoi se Mladiq "nuk është dënuar për mbrojtjen e popullit serb, por me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte", duke kujtuar edhe përgjegjësinë e tij të vërtetuar gjyqësisht për terrorizimin e civilëve në Sarajevë.
Vdekja mund t'i japë fund ekzekutimit të dënimit, por nuk mund t'i fshijë faktet e vërtetuara gjyqësisht, as t'i kthejë përgjegjësinë penale në virtyt kombëtar.
Konaković nënvizoi se Bosnja nuk ia atribuon fajin kolektiv popullit serb, pasi përgjegjësia penale është individuale. Ai shtoi se paraqitja e Mladiqit si simbol i patriotizmit serb i sjell dëm vetë popullit serb, poshtëron të mbijetuarit, frikëson të kthyerit, dëmton Marrëveshjen e Dejtonit dhe nxit radikalizmin reciprok.
Ai shprehu shpresën se Deklarata e Bagdadit dhe rezoluta e OBI-së do të rikonfirmojnë mbështetjen për sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe do të hedhin poshtë mohimin e gjenocidit, lavdërimin e kriminelëve të dënuar të luftës, retorikën islamofobike dhe agjendat separatiste.
Sipas tij, kjo nuk është e drejtuar kundër ndonjë populli, por përfaqëson mbrojtjen e viktimave, të drejtësisë ndërkombëtare dhe të paqes së qëndrueshme.
Në fjalimin e tij, Konaković dënoi gjithashtu vuajtjet e civilëve palestinezë dhe politikën e qeverisë së Benjamin Netanjahut në territoret e pushtuara palestineze, duke përsëritur mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete. Ai tha se Bosnja e kupton vuajtjen e banorëve të Gazës më mirë se shumica e vendeve, pasi gjatë agresionit ndaj Bosnjës, komunitetit ndërkombëtar iu desh shumë kohë për të vepruar me vendosmëri.
"Populli palestinez nuk duhet të presë kaq gjatë, nevojiten hapa konkretë, jo vetëm deklarata dënimi", theksoi Konaković, siç citohet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/3IE677l7




