
Fenerbahçe ka emëruar Emre Belozogluin trajner të ri të skuadrës së parë, njoftoi klubi nga Stambolli, i cili kështu e ktheu në stol njërin ndër futbollistët e tij më të njohur.
Sipas njoftimit që Fenerbahçe i ka dërguar Bursës së Stambollit dhe Platformës për Zbulim Publik (KAP), është arritur marrëveshja që trajneri 46 vjeçar turk të marrë drejtimin teknik të ekipit.
Klubi e ka pritur Belozogluin me një mesazh emocional në faqen zyrtare, ku theksohet se ai ka qenë pjesë e familjes së madhe të Fenerbahçes, fillimisht si futbollist në fushë e më pas edhe si trajner në anën e saj.
"Të mbash këtë stemë është nder, ndërsa t'i shërbesh asaj është përgjegjësi. Mirë se erdhe në shtëpi, Emre Belozoglu", theksohet në mesazhin e klubit.
Belozoglu vjen në Stamboll nga Kasimpasha, me të cilën pas dhjetë ndeshjeve të Superligës turke ka grumbulluar 17 pikë dhe ka qenë në vendin e pestë të renditjes.
Karrierën e tij si trajner e ka nisur pikërisht te Fenerbahçe, në vitin 2021, kur e udhëhoqi ekipin në dhjetë ndeshje, me shtatë fitore, dy barazime dhe një humbje. Më pas, deri në shtator të vitit 2023, ka drejtuar Stamboll Bashakshehirin, kurse pas kësaj ka qenë në krye të Ankaragykyt, Antalyasporit dhe Kasimpashës.
Si futbollist ka veshur fanellat e Galatasarajt, Interit, Njukasëll Junajtidit, Fenerbahçes, Atletiko Madridit dhe Bashakshehirit. Me Fenerbahçen ka fituar gjashtë trofe, ndërsa për vite me radhë ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Turqisë.
Fenerbahçe vendosi për Belozogluin pasi Ismail Kartal e la stolin pas humbjes nga Galatasaraji në derbin e qytetit. Ekipin ndërkohë e ka drejtuar përkohësisht ish-sulmuesi legjendar i Liverpulit, Dirk Kuyt.
Kujtojmë se pas atij derbiu shpërtheu një përleshje në fushë, ku u ndanë edhe dy karta të kuqe.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/AfgsCCGY




