
Biljana Plavshiq, e dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte, vdiq në Beograd në moshën 96-vjeçare, sipas burimeve nga rajoni. Ajo mbahet mend si një nga figurat kryesore të udhëheqjes së Republikës Serbe gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Plavshiq ishte dënuar për pjesëmarrje në përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve nga 37 komuna. Para shpalljes së vendimit në Hagë, ajo pranoi hapur rolin e saj dhe deklaroi se disa mijëra njerëz të pafajshëm ishin bërë viktima të një veprimi të organizuar dhe sistematik për largimin e myslimanëve dhe kroatëve nga territoret që serbët i konsideronin të tyret.
Në pranimin e saj të fajit, Plavshiq theksoi se "fryti i punës" së udhëheqjes së Republikës Serbe ishin varret, refugjatët, izolimi dhe hidhërimi i përgjithshëm ndaj botës. Sipas dëshmisë së saj, udhëheqja, pjesë e së cilës ishte edhe vetë, kishte kryer veprime që sollën humbje të panumërta njerëzish të pafajshëm.
"Jam bindur dhe pranoj se disa mijëra njerëz të pafajshëm ishin viktima të veprimit të organizuar dhe sistematik për largimin e myslimanëve dhe kroatëve nga zonat që serbët i konsideronin të tyret", kishte deklaruar Plavshiq në Hagë.
Pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit në një burg në Suedi, Plavshiq u lirua dhe më pas e tërhoqi pranimin e fajit. Ajo pohoi se e kishte bërë këtë vetëm për të shmangur akuzat tjera, përfshirë genocidin, dhe për të shkurtuar një gjyq që sipas saj do të zgjaste së paku tre vjet.
"E kam sakrifikuar veten. Nuk kam bërë asgjë të keqe. E pranova fajësinë për krime kundër njerëzimit vetëm që të mund të negocioja për akuzat tjera", kishte thënë Plavshiq për një revistë suedeze në vitin 2009.
Tërheqja e pranimit, dëshmi e qëndrimit kontradiktor
Sipas analistëve, tërheqja e pranimit pas daljes nga burgu tregon një qëndrim kontradiktor ndaj fajit të pranuar publikisht para gjykatësve të Hagës. Vetë pranimi, sipas burimeve, mbetet një dokument i rëndësishëm historik pasi u dha vullnetarisht dhe konfirmoi vetëdijen e saj për pasojat e veprimeve të kryera gjatë luftës.
Rasti i Plavshiq mbetet një nga shembujt e rrallë kur një zyrtar i lartë i kohës së luftës pranoi publikisht përgjegjësinë para një tribunali ndërkombëtar, para se më vonë ta kundërshtonte atë pranim pas lirimit nga burgu.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/70Q3vSFi



