
Në tubimin e listës "Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar", mbajtur më 16 tetor në Novi Sad, sipas Arkivit të Tubimeve Publike kanë marrë pjesë rreth 16.500 persona. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë, megjithatë, njoftoi po atë mbrëmje se në tubim ishin të pranishëm 110.000 qytetarë.
Arkivi i Tubimeve Publike bëri të ditur përmes llogarisë së tij në Facebook se vlerësimi është bërë duke llogaritur sipërfaqen e tubimit dhe densitetin e njerëzve sipas zonave të ndryshme, bazuar në një pamje të xhiruar në orën 18:23.
Ky ishte tubimi i parë i SNS në Novi Sad që nga rrëzimi i hajatit mbi hyrjen e stacionit hekurudhor, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor të vitit të kaluar, në të cilën humbën jetën 16 persona.
Kreu i listës, Aleksandar Vuçiç, iu drejtua mbështetësve në sheshin qendror duke thënë se pas rrëzimit të hajatit, "disa nga jashtë kanë drejtuar të gjithë lojën", duke u përpjekur ta shfrytëzojnë atë që njihet si rast "mjellma e zezë" për të sulmuar Serbinë.
"Shumë para kanë hyrë nga jashtë, miliarda euro, për të shkatërruar Serbinë, sepse i shqetëson fakti që ajo është liridashëse dhe e pavarur", tha Vuçiç.
Krahas Vuçiçit, i vetmi folës tjetër në tubim ishte kryeministri sllovak, Robert Fico.
Redaktori i portalit "Razglas news", Zharko Bogosavlleviç, vlerësoi për N1 se bëhet fjalë për një nga tubimet më të dobëta të SNS deri më tani, duke theksuar praninë e madhe të policisë dhe të xhandarmërisë në terren.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë caktuar për 25 tetor. Kujtojmë se Novi Sadi ka qenë gjatë muajve të fundit epiqendër e protestave pas tragjedisë në stacionin hekurudhor, kështu që tubimi i SNS u zhvillua nën masa të shtuara sigurie.
Linku i shkurtër: balkanvijesti.com/v/vd9mmGde




